Fustane mbrëmjesh, kostume shumëngjyrëshe kombëtare nga e gjithë globi, zbarkuan në kryeqytetin rus Moskë, natën e mbrëmshme, për të zgjedhur mbretëreshën e Universit të këtij viti. Në këtë garë bukurie, mungonin bukuroshet nga Kosova dhe Shqipëria, e para sepse, nuk ju lejua pjesëmarrja, për shkak se Rusia nuk e ka njohur Kosovën, derisa Shqipëria, u tërhoq nga gara, për shkak të mos pjesëmarrjes së Kosovës.
Për të shtatën herë në historinë e Miss Universe, Venezuela fitoi çmimin me femrën më të bukur në univers me anë të 25 vjeçares Gabriela Isler.
Isler, e cila u lind në Maracay, është një valltare profesioniste e flamengos, e cila gjithashtu punon në një televizion në Venezuelë.
Në natën finale, në mesin e 87 konkurrenteve, garën e vazhduan bukuroshet nga 16 vende, Kosta Rika, Ukraina, Kina, Ekuadori, Mbretëria e Bashkuar, Indonezia, Venezuela, Republika Dominikane, Puerto Riko, Spanja, SHBA-të, Nikaragua, Zvicra, India, Brazili dhe Filipinet.
Në 10 finalistet u përfshinë Spanja, Filipinet, Mbretëria e Bashkuar, India, Brazili, Shtetet e Bashkuara, Ukraina, Ekuadori, Venezuela dhe Republika Domenikane, derisa në garën e ngushtë për kurorën e më të bukurës ishin Ekuadori, Brazili, Spanja, Venezuela dhe Filipinet.
Pesë finalistet u pyetën se: Çfarë do të ndodhte me botën nëse nuk do të mund të përdornim internetin, derisa, Miss Venezuela pastaj u përgjigj në pyetjen se “Cila ishte frika e saj më e madhe, dhe si mendonte ta mposhte atë?
"Ne duhet të mposhtim të gjithë frikën tonë, pasi kjo do të na bëjë më të fortë. Sa më shpejt që e mposhtim frikën, aq më të fortë jemi para çdo sfide, u përgjigj ajo", tha ajo.
Pastaj me një fustan të bukur blu, Olivia Culpo, duke falënderuar biznesmenin Donald Trump dhe familjen e saj për eksperiencën si Miss Universse, i dorëzoi kurorën pasardhëses nga Venezuela.
Çmimi për kostumin më të mirë kombëtar e mori Miss Nikaragua, Narassja Bolivar.
Nata u mbyll me bukuroshen nga Brazili, e cila fitoi çmimin e përcjellëses së katërt, Filipinet morën çmimin e përcjellëses së tretë, Ekuadori me përcjellësen e dytë dhe Spanja si përcjellëse e parë.
Me këtë çmim, Gabriela Isler, i shton Venezuelës titullin e shtatë në këtë garë, dhe të parin që kur Stefania Fernandez fitoi këtë garë në vitin 2009.